Turizem

Turizëm

Shkodra

Qyteti shtrihet në brigjet e liqenit me të njetin emër dhe poshtë kodrës së Kështjellës së Rozafës dhe është padyshim ndër vendet më interesante të Shqiperisë. Fillon nga bashkimi i lumejve Buna, Drini dhe Kiri, në një fushë me bukuri të rrallë natyrore dhe të pasur me gjurmë të së kaluarës. Pozicioni i përshtatshëm gjeografik, e ka vendosur në qendër të rrugëve të rëndësishme tregtare që në të kaluarën lidhnin Europën orientale me atë perëndimore, duke i dhënë qytetit një shtytje të konsiderueshme në drejtim të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Falë zhvillimit ekonomik dhe shoqëror që ka njohur qyteti i Shkodrës gjatë rrjedhës së historisë, aktualisht është ndër qytetet më të pasura të Shqipërisë me dëshmi historike dhe gjithashtu qendra më e rendësishme ekonomike, kulturore dhe shpirtërore e Veriut të Shqipërisë.
Në një rreze prej pak kilometrash mund të vizitohen zona me një bukuri dhe interes të jashtëzakonshëm historik dhe natyralistik: në Jug drejt Detit Adriatik, në Perëndim brigjet e Liqenit të Shkodrës, në Veri Alpet legjendare Shqiptare. Pozicioni i veçantë i Shkodrës dhe bukuria e natyrës që e rrethon, vazhdimisht ka mrekulluar udhëtarët e ndryshëm të cilët e kanë vizituar, si shkrimtaren angleze Edith Durham, botanistin italian Antonio Baldacci ashtu si edhe personazhe të ndryshëm shqiptarë të kalibrit të Ismail Kadaresë.turizem-1

Kalaja e Shkodrës

Njihet në histori me emrin “ROZAFA”. Ndodhet në hyrjen jugore të qytetit, në një pozicion strategjik, rrethuar nga lumenjtë Buna, Drini dhe Kiri. Muret rrethuese janë 880 m të gjate dhe rrethojnë një sipërfaqe prej 35000 m2. Është kalaja më e madhe në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë në Ballkan.
Gërmimet arkeologjike tregojnë se kalaja është një nga vendbanimet më të hershme të pellgut të Shkodrës. Ajo daton 4000 vjet më parë. Vizitorët mund të njihen me objekte e monumente të shumta, që i përkasin periudhave të ndryshme historike. Emri i kalase lidhet me legjendën e ngritjes së saj mbi sakrificën e nje gruaje me emrin Rozafa, simbol i qëndreses, flijimit dhe heroizmit të popullit shkodran.

Muzeu historik

Muzeu Historik i Shkodrës aktualisht është i vendosur në një banesë monumentale, shtëpi karakteristike shkodrane që mban emrin “Oso Kuka”. Ai përmban sektorët e Arkeologjisë, Historisë dhe Etnografisë.

Ura e Bunës

Ura e Bunës së bashku me Urën e Bahçallëkut kanë qenë lidhjet tokësore të qytetit të Shkodrës me vise të tjera të Shqiperisë. Ura e Bunës është një vepër osmane e ndërtuar në vitet 1499-1500. Ajo ka qenë e ndertuar me kembë druri. Ne vitin 1899 kjo urë është rindërtuar nga guvernatori osman Shkodrës i asaj periudhe. Me rastin e inaugurimit ka qenë ngritur një përmendore në skaj të ballit të urës. Ky gur në formë piramide ruhet në Muzeun historik të qytetit.

Shtëpi karakteristike

Banesat karakteristike shkodrane zakonisht janë ndërtesa dy katëshe me çardak. Përpara shtëpisë është oborri i madh dhe i zbukuruar me lule. Në oborr gjendet zakonisht edhe pusi i ujit, një ndër elementet më karakteristik dhe më të domosdoshëm të shtëpive. Grykat e pusit rregulloheshin sipas shijes dhe sidomos reflektonin gjendjen ekonomike të familjes. Dhomat e shtëpive shkodrane shfaqin elemente karakteristike të rregullimit të tyre. Tavanet, oxhaqet, dyert dhe dritaret, raftet e murit punoheshin me forma e gdhendje të veçanta dekorative që reflektonin traditën, kulturën, besimin e çdo familjeje shkodrane.

Teatri “MIGJENI”

Për herë të parë në Shqipëri trupat teatrale u krijuan në Shkodër para 120 vjetësh. Në vitin 1958 u ndërtua godina e teatrit, me 500 vende dhe me një arkitekturë të veçantë, rikonstruktuar në vitin 2001. Në skenën e këtij teatri janë luajtur pjesët më të famshme të autorëve botërore dhe nga gjiri i tij kanë dalë aktorë nga më të mirët të vendit. Gjithashtu në Shkodër është vënë në skenë opera e parë shqiptare “Mrika” me autor kompozitorin shkodran Preng Jakova, ekzekutuar nga orkestra sinfonike dhe interpretues vokal të Shkodrës.

Kulla e Sahatit e shek të XIX

Kulla e Sahatit e njohur në histori si Sahati i Inglizit i përket periudhës së aristokracisë mesjetare. Kulla e sahatit, bashkë me shtepinë ngjitur u ndërtuan me fondet e lordit anglez Paget, i cili kishte qëllim kryesor përhapjen e fesë protestane në Shqipëri dhe t’a shndërronte Shkodrën në qender të kësaj feje në Shqipëri. Veprimtaria e lordit nuk pati sukses dhe kur pa se i dështoi misioni i tij fetar, në vend të kembanës, për kullën, ai solli një sahat të madh per t’u dalluar nga larg. Në orët e caktuara degjohej krisma e tij tingelluese. Shtëpia e anglezit përbëhej nga 15-16 dhoma. Oborri i shtëpisë mbyllej me një portë të madhe dërrasash, dy kapakësh, të gdhendur me ornamente.

Galeria e Arteve

Galeria e Arteve, në fondin e saj, perfshin veprimtarinë e autoreve të ndryshëm shkodranë dhe shqiptarë te cilët kanë lënë gjurmë të forta në trashegiminë e kombit tonë. Galeria e Arteve ruan dhe ekspozon 700 piktura, skulptura, grafika etj. Veprat e artit kanë zënë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetarëve shkodranë, rëndësia e tyre ka qenë e njohur që në kohët e hershme. Punimet e artit janë ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi nga familjet shkodrane.
Galeria e Arteve here pas here organizon ekspozita të piktorëve të ndryshëm, promovon artistë të rinj të talentuar të qytetit duke i dhënë artit në Shkodër vendin që meriton.

ende interesi për t’u vizituar
Monumente

Monumenti i “Luigj Gurakuqit”
Monumenti i “Katër Martireve të Demokracisë”
Monumenti i “Isa Boletinit”
Monumenti i “Nanë Terezës”
Monumenti i “At Gjergj Fishtës”
Monumenti i “Prekë Calit”

Rrugë karakteristike

“13 Dhjetori”
“Kolë Idromeno”
“Gjuhadol”
“Gurakuqëve”
“Gurazezëve”

Rrugët që lidhnin Shkodrën me vendet e tjera kalonin kryesisht në terrene malore, përgjatë luginave të lumenjve.
Një nga tri rrugët më të vjetra të Shkodrës, më të gjata dhe me e rëndësishmja, si të thuash aorta e Shkodrës ishte rruga që fillonte në kryepazar dhe mbaronte në sheshin para maternitetit të sotëm. Brenda këtyre kufijve kishte një gjatësi 3 km dhe 620 m. (A. PARRUCA, Shkodra).
Deri në fillim të shek XX ajo ishte një rrugë e ngushtë dhe e shtrember, e shtruar me kalldrëm. Shtrirja e qytetit në drejtimin që është sot, e bëri këtë rrugë shumë më të përdorshme. Me këtë rrugë komunikonin 35 rrugë e rrugica të Shkodrës. Një pjesë e madhe e rrugës ka patur trotuare dhe shtylla druri ose varëse metalike zbukuruese, ku janë varur kafaza xhami, brenda të cilëve kishte kandila për ndriçimin e rrugës
Veprimtaria e arkitektit Kol Idromeno në projektimin e një sërë ndërtesash në rrugën e Piacës i shtoi madhështine, origjinalitetin dhe stilin unik.

Kisha e Madhe

Kisha e Madhe është ndër objektet më të rendesishëm historike të qytetit tone.
Historia e ndërtimit të kësaj Kishe të rëndësishme për banorët  shkodranë është mjaft e veçantë. Dëshira e ekzistencës së këtij objekti kulti është e hershme.
Katedralja eshte 73.5 m e gjate, 50 m e gjere dhe 23.5 m e larte. Kisha ka nje kapacitet prej 6000 njerezish ne kembe. Kisha disa here eshte shkaterruar pjeserisht, restaurimet e saj i drejtoi Kol Idromeno.

 

Kisha e Zojës

Kisha e Zojës së Shkodres apo Zoja e Këshillit të Mirë është një kishë mjaft e vjetër e cila nën regjimin komunist ishte shkatërruar tërësisht dhe gurin e parë per rindertimin e të cilës e vuri Papa Gjon Pali i II-të në 1993. Rindërtimi i kësaj kishe përfundoi në 1996.

 

top